Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Kryetari i Komisionit për Monitorimin, Vlerësimin dhe Raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi dhe Planit Strategjik për Efikasitetin e Trajtimit të Rasteve të Korrupsionit, Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare dhe Krimit të Organizuar, Afrim Shala, kanë vizituar degët e Gjykatës Themelore të Ferizajt, në Shtërpcë, Kaçanik dhe degët e Gjykatës Themelore në Gjilan, në Viti dhe Kamenicë. Ata janë pritur nga kryetarët e këtyre gjykatave, mbikëqyrësit e degëve dhe gjyqtarët.
Qëllimi i kësaj vizite ishte monitorimi i implementimit të planeve strategjike, vlerësimi i progresit në zgjidhjen e lëndëve, përmirësimi i performancës, ulja e numrit të lëndëve të pazgjidhura dhe realizimi i normës së lëndëve.
Gjatë vizitës, u vlerësua përkushtimi dhe angazhimi i këtyre degëve në rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e performancës së degëve të këtyre gjykatave.
Statistikat për tremujorin e parë të vitit 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe realizimi i normës për vitin 2024, pasqyrojnë angazhimin e stafit gjyqësor dhe efektivitetin e masave të ndërmarra për përmirësimin e sistemit gjyqësor.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon të mbështesë përpjekjet e gjykatave për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve gjyqësore, duke siguruar që qytetarët të kenë një qasje më të shpejtë, të barabartë dhe të drejtë në sistemin gjyqësor.