Një rast i rëndë ka tronditur sot Pejën.
Nje person dyshohet të ketë vrarë nënën e tij.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Mbreti Zog” në lagjen Kapeshnica.
Lidhur me rastin, janë deklaruar prokurorja e rastit Sahide Gashi dhe komandanti i Policisë, Nue Nikolla.
“Sot me datë 14 prill rreth orës 16:00, nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Pejë, jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje, konkretisht dyshohet se i dyshuari ka privuar nga jeta të ëmën… Janë izoluar të gjitha provat, janë mbledhur të gjitha provat, kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës dhe gjithashtu kemi siguruar edhe dëshmitarë okularë të ngjarjes. Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje por nuk ka qenë në gjendje në prani të mbrojtësit, kështu që jemi obliguar që nesër. Në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e tij” tha prokurorja Gashi.
Prokurorja bëri të ditur se nëse është e nevojshme, do të bëhet edhe ekzaminimi psikiatrik i të dyshuarit.
Në anën tjetër, komandanti Nikolla pohoi se i dyshuari në fjalë është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Menjëherë në vend të ngjarjes kemi konstatuar se bëhej fjalë për një vrasje të rëndë,, dhe kemi arritur ta arrestojmë personin përgjegjës. Është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, dhe më pas vendit të ngjarjes i janë përgjigjur të gjitha njësitet relevante. Për momentin, jemi në fazën e hetimeve dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit, dhe meqë bëhet fjalë për vrasje në familje, këto janë informacionet që mund të japim për momentin” tha Nikolla.
Nikolla shtoi se akoma janë të paqarta motivet e rastit dhe se i dyshuari nuk ka pasur më herët ndonjë vepër kriminale.