Në manifestimin e Gazimestanit kishte hipur mbi skenë për të bërtitur “vrite, vrite shqiptarin” si dhe “Kosova është Serbi” i riu serb Nikolla Nedjellkoviç.
Autoritetet e Kosovës e dënuan me gjashtë muaj burg për nxitje të urrejtjes ndëretnike, nxitje të përçarjes dhe mosdurim.
Nedjellkoviç e kreu dënimin këtë të hëne dhe u nis për Serbi, për t’u pritur me nderime nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Me fjalë përkdhëlese e lavduese, Vuçiç i ofroi punë këtij të riu përçarës, kualifikimi moral e intelektual i të cilit, siç tregohet nga pritja presidenciale serbe, është urrejtja ndaj shqiptarëve, shkruan Reporteri.net.
“A dëshiron të punosh në zyrë [e ashtuquajtur për Kosovën] ose ministri” e pyeti Vuçiç, ndaj të cilës pyetje pasoi folklori qesharak përgjigjës i të riut, se “dëshiroj t’i ndihmojë serbët e Kosovës”, siç e citoi media serbe “Blic.rs” të ketë thënë, përcjell Reporteri.net.
“Kemi dy oferta për ju, për të punuar, a dëshironi të bëni punë humanitare në zyrën për Kosovë apo dëshironi të punoni në Ministrinë e Teknologjisë Informative, zgjidhni vetë. Besojmë se dikush me kokë të pastër dhe qëndrim patriotik si ju mund të ndihmojë shumë. Mësuam shumë edhe për prindërit dhe motrat tuaja, pamë se nga çfarë familje vini dhe do të jeni një përforcim për vendin”, tha Vuçiç.
Nedjellkoviç në zyren presidenciale serbe ishte me të atin dhe të emën e tij.
“Në rend të parë, të falënderoj Nikolla, dhe ty, Sllobodanka dhe Dragomir, që sot jeni me të birin tuaj. Nikolla, ty kanë qenë duke të pritur më së shumti”, vazhdoi Vuçiç në mellodramën para kamerave të transmetuesve serbë.
Presidenti i Serbisë iu drejtua të riut se “unë e di që ti s’je fajtor për asgjë”.
Si ngjau rasti i Nikolla Nedjellkoviç?
Më 26 qershor në festën serbe të Vidovdanit në Gazimestan, Nedjellkoviç kishte hipur në binë për të bërtitur mesazhe si “vrite, vrite shqiptarin” me fanel të hartës së Kosovës të ngjyruar me flamurin e Serbisë, transmeton reporteri.
Gjatë tërë kohës, me zë të lartë, ai bërtiste “Kosova është Serbi, e gjithë Rusia, Kosova është e Serbisë si dhe vrite vrite shqiptarin”.
Ai u dënua me gjashtë muaj burg për nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit, derisa vetëm këtë të hëne e kreu dënimin e shqiptuar.