Stafi i Qendrës së Aktivizimit të Rinisë, përkatësisht zv. Drejtori Mejdi Sadiku, Kryetarja e Departamentit për Mjedis, Leonora Ibrahimi dhe bashkëthemeluesja e YAC-së, Blerita Korça, morrën pjesë në trajnimin “Training for Trainers” në Vienë të Austrisë.
Trajnimi u mbajtë nga organizata austriake “Mlafiinfo Austria”, ku partnere ishte YAC, ndërsa u financua në Komisioni Europian, përkatësisht programi “Erasmus+”, derisa trajnimi u mbajtë në datat 16-24 Prill 2018.
Në trajnim morrën pjesë gjithsej 28 përfaqësues të organizatave rinore nga 9 shtete europiane, përkatësisht nga Austria, Bullgaria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Portugalia, Rumania dhe Spanja.
Në trajnim, pjesëmarrësit mësuan metoda të ndryshme se si të mbahet një trajnim më kualitativ, stilet e të mësuarit, diskutimet, pyetjet, fjalimet publike, cilat janë aftësitë që duhet t’i ketë trajneri dhe si t’i zhvillojë ato etj.
Leonora Ibrahimi, kryetare e Departamentit për Mjedis tek Qendra e Aktivizimi të Rinisë (YAC) jep më shumë detaje rreth trajnimit, udhëtimit dhe pritjes së organizatorëve në trajnim.
“Së pari dua të theksoj që kjo ishte eksperienca ime e parë në një trajnim të Erasmus+. Ishte me të vërtetë një mundësi shumë e mirë ku kishim rast të mësojmë më tepër rreth edukimit joformal, mënyrave të mësimdhënies, metodave, praktikave, veglave të punës brenda grupeve të vogla dhe të mëdha etj. Kjo përvojë do të na shërbejë shumë në praktikat tona gjatë projekteve të cilat do t’i zbatojmë në të ardhmen. Organizatorët na pritën në mënyrën më të mirë, duke u siguruar vazhdimisht që të ndihemi si në shtëpinë tonë, ndërsa ky udhëtim na shërbeu poashtu edhe për njohjen më tepër me kulturën Vieneze dhe për t’i përjetuar momentet në qytetin e bukur të Vienës. Në këtë projekt poashtu shfrytëzuam mundësinë të arrijmë bashkëpunime të reja të organizatës sonë me disa organizata të shteteve pjesëmarrëse dhe shpresojmë se së shpejti do të mund t’i kemi edhe rezultatet tjera të këtyre bashkëpunimeve”, tha Ibrahimi.
Për të mos u ndalur shumë përsëri tek tema e trajnimit, Mejdi Sadiku, zv. Drejtor i YAC-së, njëherësh personi kontaktues i YAC-së për projektet ndërkombëtare të Erasmus+ më shumë i bëri thirrje të rinjve të marrin pjesë sa më tepër nëpër trajnime të tilla.
Kosova si pjesë e Ballkanit Perëndimorë, partnere e programit Erasmus+, nuk është e përfaqësuar kënaqshëm nga të rinjtë e saj. Komisioni Europian, përkatësisht programi Erasmus+ ofron mundësi për trajnime të ndryshme në fusha të ndryshme për të rinjtë, ku edhe të rinjtë e shtetit tonë kanë të drejtë të marrin pjesë. Duhet të jemi më të interesuar për t’i shfrytëzuar këto mundësi tonat. Ne si YAC që nga viti 2014 jemi aktive në projektet e Erasmus+, ku kemi dërguar dhjetëra të rinj Kosovar në shtete të ndryshme europiane, ku kanë pëfituar njohuri të shumta në fusha të ndryshme, e që akoma janë falenderues ndaj nesh për mundësitë e dhëna. Inkurajoj të rinjtë të përfshihen më shumë në qytetari aktive europiane, ngase kështu do të përfitojmë përvoja të mira, të cilat më pas mund t’i zbatojmë në vendin tonë”, tha Sadiku.
Bashkëthemeluesja e YAC-së, Blerita Korça, ekperiencën e saj në këtë trajnim e përshkroi me këto fjalë: “Trajnimi për trajnerë i organizuar nga Mladiinfo Austria dhe mbështetur financiarisht nga Komisioni Europian ka qenë një ndër eksperiencat e mia më interesante. Fokusi i këtij aktiviteti ka qenë aftësimi i të rinjve për mësimdhënje jo-formale të cilët janë të angazhuar në organizata rinore. Gjatë kësaj periudhe 7 ditore, ne patëm mundësine të zhvillojmë kompetencat tona në fusha të ndryshme si: organizimi i hapësirës mësimore, udhëheqja e trajnimit, fjalimi në publik, arti i pyetjeve, bashkëpunimi e shumë të tjera. Poashtu, ia vlen të përmendet që keto kompetenca i kemi adaptuar në përputhje me ‘Kornizën e Kompetencave së Strategjisë Europiane të Trajnimit’. Si pjesë e organizates jo qeveritare në Kosovë, Youth Activism Center, ndihem e përgaditur dhe e gatshme të ndajë këto eksperienca të fituara me të rinjt e tjerë”.
“Për më shumë, si perfituese e bursës për studime Master në Universitetin e Bolonjës në Itali ‘Erasmus Mundus’, nga Komisioni Europian, dua të bëj thirrje për të gjithë të rinjtë Kosovarë që të hulumtojnë sa më shumë, të jenë në dijeni dhe të shfrytëzojnë mundësitë që po na jep Bashkimi Europian për studim dhe zhvillim jashtë vendit. Duke filluar nga mundësitë e Erasmus+ për shkëmbim semestral, trajnimet e ndryshme për zhvillim profesional e deri te mundësitë për studime të plota të nivelit Bachelor, Master apo Doktorate”, vazhdoi Korça.
“Le të jemi të etur për mundësi dhe eksperienca të reja, të marrim njohuri nga Universitet e praktikat Europiane, dhe më pas, me këto njohuri, le të jemi zëri i fuqishëm dhe ndikimi pozitiv për vendin tonë”, për fundoi Korça.