Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot përmes një konference njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë, në kuadër të Insitutit të Mjekësisë. Lidhur me këtë zhvillim, Periskopi ka kontaktuar babain e Astritit, Avni Deharin, i cili ka thënë disa fjalë.
E kemi kuptuar mbrëmë vonë se janë zhdukur mostrat, kështu tha ministrja Haxhiu, duke pretenduar se kanë edhe emra si të dyshuar për këtë rast.
E Avni Dehari, deputet i Kosovës, njëherit babai i Astritit ka deklaruar se janë mësuar me këto gjëra.
“Jemi mësu më me këto gjëra. Janë të rëndomta. Prej fillimit ka pasë asisoji. Avokatin e kemi angazhu për të dhënë sqarime për këto gjana, ia kemi lanë me u marr me krejt.’’, ka thënë Dehari shkurt për Periskopin.
Një patrullë e Policisë së Kosovës ka shkuar te Instituti i Mjekësisë Ligjore pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të këtij instituti.
Prokurori special Blerim Isufaj ka konfirmuar nisjen e hetimeve për zhdukjen e mostrave të Deharit.
Ministrja Haxhiu tha se ky është një akt i rëndë dhe kriminal.
“Mbrëmë në orët e vona jam njoftuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të institutit të Mjekësisë Ligjore. Ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal. E kam njoftuar kryeprokurorin e shtetit Besim Klemendin dhe drejtorin e policisë Fehmi Hotin. Kam vizituar IML-në”, tha ajo.