Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është bërë paraqitja e parë e Isni Kilajt.
Gjatë parashtrimeve të veta, Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit Matt Halling tha se në shtëpinë e Isni Kilajt janë gjetur materiale konfidenciale lidhur me dëshmitarët.
“Gjatë kontrollit të banesës së z.Kilajt që u bë me 2 nentor 2023, ZPS-ja evidentoj dhe gjeti materiale që lidhen me dëshmitar dhe janë materiale konfidenciale. Këto materiale lidhen drejtpërdrejtë me procese gjyqësore të DhSK-së. Ishte informacion konfidencial të cilin z.Kilaj ligjërisht nuk duhej ta mbante, nuk kishte autorizim për të pasur një informacion të tillë. Duke pasur informacion të tillë do të thotë që shkelje e procedurës penale dhe kjo është një arsye e bazuar për ne që të kuptojmë që ky material do të përdorej për të ndërhyrë në procesin e drejtësisë dhe ndikimin e procesit gjyqësor”, tha prokurori Matt Halling.
Prokurori Halling tha se provat tregojnë se Kilaj është përgjegjës penalisht për disa vepra, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
“Provat tregojnë që Z.Kilaj është përgjegjës penalisht për të kryer qoftë vetëm apo bashkë me të tjerët në vepra penale ku përfshihen; pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare sipas nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës viti 2019 dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës në bazë të nenit 392 të Kodit Penal i kombinuar me nenin 15/2 dhe 16/2 të Dhomave të Specializuara”, tha Halling.
Në fillim të seancës, gjykatësi i vetëm Nicolas Guillou pyeti Isni Kilajn e pyeti atë nëse janë respektuar të gjitha të drejtat e tij në rast të arrestimit, gjë të cilën e pohoi i dyshuari.
Ndërsa, gjyqtari njoftoi se avokat kujdestar për Isni Kilajn është avokati Ian Edwuards.
Gjyqtari Guillou tha se seanca e sotme ndaj Isni Kilajt nuk është gjyqësore e po ashtu për atë nuk është dorëzuar ende aktakuza që të prezantohen prova konkrete.
Isni Kilaj është arrestuar të premten nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si dhe në të njëjtën ditë është transferuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.
Isni Kilaj dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar./betimiperdrejtesi/