Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila ka pezulluar vendimin për detyrimin e një kompanie të kalojë në tregun e lirë. ZRRE ka njoftuar se do të apelojë këtë vendim në instancat më të larta ligjore, raporton Gazeta Sinjali.
‘‘Deri më tani, vetëm në një rast të veçantë për përgjigje individuale që ka të bëj me kriteret për furnizim me energji elektrike në kuadër të shërbimit universal, ku ZRRE me datën 03.06.2025 i ka kthyer përgjigje dhe ndaj përgjegjës/njoftimit së ZRRE është parashtruar padi me kërkesën për pezullim të këtij njoftimi. Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit KA.nr. 283/25 ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit, por kjo nuk nënkupton pezullimin e procesit të hapjes së tregut.’’.
Në reagimin e ZRRE-së, theksohet se Zyra do ta shfrytëzojë të drejtën për apel në instancat më të larta për të mbrojtur ligjshmërinë dhe për të siguruar vazhdimin e reformave strukturore në sektorin e energjisë.
‘‘Për më tepër, ZRRE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike’’, thuhet në reagim.
Përfundimisht, ZRRE nënvizon se mbetet e përkushtuar për të siguruar një treg të funksional dhe konkurrues.
‘‘ZRRE rithekson se procesi i liberalizimit është i bazuar në dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085, dhe në vendimin përkatës të ZRRE-së për daljen në treg të hapur për ndërmarrjet ekonomike, të cilat tejkalojnë njërin nga kriteret e përcaktuara: më shumë se 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. ZRRE mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg funksional, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e energjisë, duke ofruar transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesit publik’’, përfundohet në reagim.