Drita ka marrë një tre pikësh të artë nga udhëtimi në Drenas.
Gjilanasit triumfuan me rezultat minimal 0-1 falë një goli të shënuar nga Festim Alidema.
Por pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Feronikelit, Klodian Duro ka shpërthyer në akuza.
Gjithsesi akuzave të Duros i është përgjigjur drejtori sportiv i kampionit në fuqi të Kosovës, Dritës, Valon Zymberi që fillimisht foli për ndeshjen.
“E kemi ditur që nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi secila skuadër ka ato synimet e veta”. “Ka qenë një ndeshje e vështirë, por as ne nuk kemi pasur një ecuri konstante dhe mendoj se ka qenë një fitore shumë e rëndësishme”, ka thënë Zymberi në emisionin Dueli Sportiv në RTV Dukagjini. Tutje drejtori sportiv i kampionit në fuqi të Kosovës ka shpërthyer ndaj trajnerit të Feronikelit, Klodian Duros, i cili deklaroi se përsëri janë dëmtuar nga gjyqtarët dhe përsëri nga e njëjta skuadër.
“Shumica e trajnerëve pa e pa ndeshjen e sekuencat japin deklarata të tilla si ai i Feronikelit”.
“Jam habitur si ka mundësi që ai paragjykon pa parë sekuencat”.
“Trajnerët në Kosovë janë të përmbajtur, por këta trajnerë që vijnë nga jashtë mundohen me na shpik ujin e vokët”.
“Ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, ai nuk ka ardhur ktu me shpik futbollin pasi ktu nuk po nis gjithçka prej zeros”. “Vet tifozët e Feronikelit i kanë reaguar këtij duke i thënë ‘Nuk të kemi thirrur si ekspert, por si trajner’. Ai nuk e bën punën e tij, por e luan ekspertin e gjyqtarëve, ekipeve dhe Superligës”.
“Unë mendoj se ky me disa deklarata të caktuara e ka nënçmuar Superligën e Kosovës, i ka nënçmuar gjyqtarët kosovarë i ka nënçmuar edhe investitorët që tash e më shumë se 20 vite kanë investuar në futbollin e Kosovës”.
“Pe them këtu publikisht se kam dërguar një email në FFK që asnjë person që është i licencuar pranë Federatë së Futbollit të Kosovës nuk ka të drejtë me zbeh imazhin e futbollit të Kosovës”, ka deklaruar Zymberi..