Mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, vazhdon të mbetet një ndër ankesat kryesore të zyrtarëve policorë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se shtesat e rrezikshmërisë nuk janë ekzekutuar as me pagën e muajit gusht.
Kujtojmë se kjo është edhe një ndër pakënaqësitë e shumta me kushtet e punës, që po shtyjnë policët të zhveshin uniformën e Policisë.
Vetëm këtë gjatë këtij viti, rreth 50 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje vullnetare, teksa Sindikata e Policisë së Kosovës para më shumë se një muaji ka filluar me veprime sindikale duke dorëzuar në Kuvend një peticion, në të cilin kanë nënshkruar 62% e pjesëtareve të PK-së.
Policët më parë, përveç shtesës për orar të zgjatur, merrnin edhe shtesat për rrezikshmëri në punë sipas një rregulloreje të brendshme të Policisë, por me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Paga, këto shtesa nuk u ekzekutuan asnjëherë më, gjë që nxiti edhe më shumë pakënaqësi e ankesa te zyrtarët policorë.
Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023.