Pesë vende të Bashkimit Evropian kanë kërkuar nga Komisioni Evropian që të rishqyrtojë mënyrën e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së, përmes një modeli të anëtarësimit “hap pas hapi”.
Austria, Çekia, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia, në një dokument konfidencial të qarkulluar mes vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, kanë theksuar se nevojiten “stimuj të fortë dhe tërheqës” për të ruajtur momentumin e zgjerimit dhe avancuar integrimin evropian, raporton Euractiv.
Sipas dokumentit, “qasja e bazuar në meritë – nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e përbashkët evropian përfaqëson një stimul të tillë”.
Vendet e kanë përshkruar modelin si “integrim sistematik sektorial”, i cili do të mundësonte zgjerimin e pjesëmarrjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bëjnë pjesë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, në programe të ndryshme të BE-së, teksa harmonizohen me legjislacionin evropian.
Dokumenti thekson se “integrimi gradual” duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike sapo një vend kandidat të demonstrojë nivel të lartë harmonizimi me acquis të BE-së në sektorin përkatës.
Po ashtu, propozohet përfshirja e sektorëve si transporti, energjia dhe tregjet e energjisë elektrike, tregu unik digjital, strategjitë e konkurrueshmërisë dhe politikat për lëndët e para kritike.
Në dokument përmendet edhe marrëveshja për mobilitetin e të rinjve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si shembull i një përfitimi që mund t’u ofrohet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku pjesë është edhe Kosova.
Autorët e dokumentit i kanë bërë thirrje komisioneres për zgjerim, Marta Kos, që të paraqesë ide të reja në këtë drejtim.
“Kjo qasje do të zgjerojë dhe forcojë tregun e përbashkët, duke kontribuar në rëndësinë gjeoekonomike dhe autonominë strategjike të BE-së, ndërsa afron vendet kandidate dhe ndihmon në kundërshtimin e ndikimit të vendeve të treta”, thuhet në dokument.

