Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, po insiston në ndërtimin e mbi 900 mijë metra katrorë ndërtesa që përfshijnë qeverinë, ambasadat, agjencitë dhe të tjera që lidhen me administratën shtetërore, me vetëfinancim.
Sipas Pacollit, këto objekte mund të ndërtohen në zonën e Hajvalisë.
“Kaloj çdo ditë në zonat e Hajvalisë ku kam (dhe jam) duke insistuar që (me vetëfinancim) të ndërtohen ndërtesa (mbi 900,000m2) për qeverinë, ambasadat, agjencitë dhe gjithçka që lidhet me administratën e drejtimit të shtetit të Kosovës. Për arsye të pakuptueshme për mua, kjo nuk ndodhi”, ka shkruar Pacolli.
Prandaj ai i ka bërë thirrje kryetarit të ri të Prishtinës që ta bëjë të njëjtën, me ligjin në fuqi të Prishtinës.
“Unë kam besim në vizionin e Përparim Ramës dhe i bëj thirrje që ai ta bëjë këtë. Me ligjin në fuqi të Prishtinës, me kreativitet, guxim dhe dëshirë, ju mund ta bëni këtë! Ndërtoni qytetin e ri administrativ, hiqni administratën nga qyteti dhe çlirojeni nga mbytja e mëtejshme (do të ulni trafikun në Pr me më shumë se 60%)!Tashmë Prishtinën e shpëtojnë vetëm projektet e mëdha”, ka thënë Pacolli