Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka folur pas takimit të sotëm rreth shqyrtimit të masave anti-COVID.
Latifi deklaroi se do të ketë ndryshim të masave, konform situatës epidemiologjike.
“ Natyrisht se do të ketë ndryshim të masave. Këto masa do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e rasteve, COVID-it. Do të jenë në proporcion me nevojat për zhvillimin e fëmijëve në shkolla, me mbajtjen e shkollave hapur, me mbajtjen e ekonomisë hapur”, deklaroi Latifi.
Latifi tha se me masat e reja, lokalet e gastronomisë mund të mbyllen në orën 22:00.
“Është shumë e mundshme që lokalet duhet të mbyllen në orën 22:00, por këtë do ta vendosim bashkërisht të gjithë. Do ta dorëzojmë në Qeveri sot pasdite, ose nesër në mëngjes”, ka deklaruar Latifi”.
Rishqyrtimi i masave anti-COVID vjen pas rritjes së madhe të rasteve me koronavirus.
Të mërkurën në vend janë regjistruar 2 mijë e 50 raste pozitive. Aktualisht në Kosovë janë 7 mijë e 228 raste aktive me koronavirus.