Sot ka nisur puna për projektligjin që e rregullon konsumimin e pijeve energjike dhe të pagazuara me sheqer të shtuar.
Një një tryezë diskutimi që është organizuar nga Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv të Kuvendit, pozita dhe opozita kanë dhënë qëndrimet e tyre për të.
Nga partia në pushtet, Vetëvendosja, kanë kërkuar që të ketë ligj, për të ndëshkuar ata që i ekspozojnë fëmijët para pijeve energjetike.
“Këtë projektligj nuk do ta rregullojmë vet. Kjo është tryeza e parë dhe ky diskutim është bërë për ta përshpejtuar këtë. Kemi ftuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Komisionin e Shëndetësisë. Duhet të ketë ligj që sanksionon ata që ekspozojnë fëmijët para pijeve energjike. Duhet vetëdijesuar prindërit se pijet energjike dhe me sheqer të shtuar janë te dëmshme dhe duhet bërë vetëdijesimi i prindërve dhe shkollave”, ka thënë kryetarja e komisionit, Fitore Pacolli.
Por, ky propozim s’është përkrahur nga deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu. Ajo ka thënë se është mirë që të shterren të gjitha mundsitë para së të vihet te ligji.
“Produktet duhet të kenë etiketën e përdorimit. Ne kalojmë sot para shkollave dhe i shohim fëmijët duke blerë cigare.
Është e ndaluar po as këtu nuk ka pasur efekt ligji. Nuk ka kontroll. Mos të flasim veç për cigare. Nuk jam ithtare e letrave të cilat nuk gjejnë zbatim. Duhet të kemi kontroll dhe mbikëqyrje. Mendoj që duhet të zhvillojmë debate më të gjera. Të kemi këtu edhe prodhuesit e pijeve, edhe ata të na dëgjojnë e të flasin. Prapë po e përsëris jam ithtare e prodhimit të dokumenteve që gjejnë zbatim. Do ta përkrah çdo iniciativë, por është mirë që të shteren të gjitha mundësitë paraprake para se të vijmë te ligji”, ka deklaruar Musliu.