Numri i rasteve të fruthit po rritet në mbarë botën, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të publikuar sot në Gjenevë.
Sipas raportit, numri i rasteve të fruthit gjatë dy muajve të parë të 2022 ishte 79% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Arsyeja e rritjes së rasteve është se shumë pak fëmijë po vaksinohen, pjesërisht për shkak se fushatat e vaksinimit u ndërprenë gjatë pandemisë së Covid-19 dhe pjesërisht sepse vendet u detyruan të rishpërndanin fonde për çështje të tjera”, tha OBSH.
Për më tepër, konfliktet dhe luftërat në Ukrainë, Etiopi, Somali dhe Afganistan kanë detyruar miliona banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i penguar fëmijët të marrin vaksinat dhe shpesh duke i detyruar ata të jetojnë në strehime të mbipopulluara.
Fruthi përhapet përmes spërkave gjatë të folurit, teshtitjes ose kollitjes. Infeksioni fillon me simptoma të ngjashme me gripin, e ndjekur nga një skuqje e lëkurës dhe mund të çojë në pneumoni, një infeksion të veshit të mesëm apo edhe inflamacion të trurit.
Sëmundja mund të jetë fatale dhe mund të dobësojë sistemin imunitar, duke i bërë të infektuarit më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të tjera.