Presidenti Agim Ademi gjatë vizitës së sotme në zyret e reja të FIFA-s në Paris, ku është mirëpritur nga i pari i këtij institucioni, Giani Infantino, e ka dhënë edhe një intervistë për FIFA TV. Zyra e re e FIFA-s në Paris shërben si bazë strategjike për zhvillimin e mëtejmë të futbollit dhe me qëllim që organi drejtues i futbollit botëror të jetë sa më i afërt për federatat evropiane. Gjatë intervistës presidenti Ademi u pyet për atë se si duken zyret e reja të FIFA-s në Paris dhe çfarë do të thotë kjo për federatat kombëtare.”E përgëzoi FIFA-n për ambientet e reja në kryeqytetin francez si dhe e vlerësoi këtë zyre si një lehtësim jo vetëm për stafin e FIFA-s, por edhe për neve federatat evropiane, të cilat do të kemi një adresë më shumë për të qenë sa më produktivë në zhvillimin e futbollit. Zyra në Paris është hapur pikërisht për faktin se FIFA dëshiron të jetë sa më afër federatave dhe të na asistojë në çdo kohë“, ka thënë Ademi.
Ndërkaq, i pyetur se si janë marrëdhëniet e FFK-së me FIFA-n dhe a ka pasur Kosova dobi pas anëtarësimit në këtë institucion, Ademi është shprehur: “Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyeshme. Jam shumë i lumtur me trajtimin që na e bënë presidenti Infantino, por edhe organet e tjera të larta të FIFA-s e UEFA-s. Që nga anëtarësimi ynë nuk na është refuzuar asnjë projekt dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Nëpërmjet këtyre projekteve kemi marrë shumë donacione përmes të cilave e kemi zhvilluar infrastrukturën, edukimin e kuadrove por edhe ngritjen e cilësisë, në saje të mbështetjes financiare për klubet”.
E sa i përket lidhjes me FIFA-n dhe kreun e saj Infantino, presidenti Ademi ka thënë se ato janë të veçanta. “Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me FIFA-n dhe me presidentin Infantino, sepse pikërisht në vitin e parë të mandatit të tij Kosova është pranuar në FIFA, duke qenë federata e parë e pranuar në mandatin e tij dhe kjo ka ngelur në histori, jo vetëm për neve dhe presidentin Infantino, por edhe për vetë FIFA-n. Besoj se lidhja jonë është krejt ndryshe, pasi FIFA e trajton Kosovën me kujdes të veçantë. Jemi vend i vogël, por jemi si çdo federatë tjetër. Gjithsesi, jemi të privilegjuar që FIFA na sheh me një simpati shumë të madhe”. Gjatë vizitës së sotme në Paris, presidenti Ademi i ka bërë ftesë të parit të FIFA-s për ta vizituar Kosovën, të cilën ai e ka mirëpritur.