Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, është pyetur për nisje të hetimeve nga Prokuroria, pas publikimit të audio-incizimeve ku pretendohet përfshirja e ministrit të Transportit Liburn Aliu, në korrupsion. Kryeziu, përgjigjet duke thënë se po tentohet që të krijohet një Pronto 2.
“Kur themi për ministrin dhe këshilltarin e tij, ministrin Aliu dhe këshilltarin e tij, mendoj se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ata që e kanë pasur interesimin janë fare mirë të vetëdijshëm që në ato audio-incizime nuk është as ministri e as këshilltari”, tha Kryeziu.
“Dakord përmendet (emri i ministrit) por në atë audio-incizim nuk është as zëri i ministrit e as zëri i këshilltarit të ministrit. Ka një skemë, narracion, tregim, që synon të shërbehet nga çerek informacione ashtu që të tentohet të prodhohet një tip i aferës Pronto 2 për qeverinë Kurti”, shtoi ai për RTV 21.
Kryeziu ripërsërit duke thënë se kjo qeveri nuk korruptohet, dhe rendit arsyet.
“Por kjo nuk mund të ndodhë. As nuk do të ndodhë, sepse qeveria Kurti është qeveri e cila përveç që udhëhiqet nga një kryeministër i cili nuk korruptohet, është i pa korruptueshëm, ka një kabinet qeveritar me persona të cilët janë edhe të përgatitur profesionalisht por edhe kanë integritet të lartë profesional e moral”, tha ai.
“Në rastin e Prono 1 nuk ka pasur nevojë të ketë shtjellim e analizë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, kurse në rastin e këtyre audio-incizimeve ka organizim me interpretime me analiza e me psiko-analiza vetëm e vetëm që të përçohet te qytetari kinse dyshimi se ka praktika të tilla”, theksoi Kryeziu.
Javën e kaluar ministri Aliu foli për përgjimet, por tha se e gjitha është vetëm një “film” që nuk paraqet ndonjë provë të fortë për ndërlidhje korruptive të ministrisë së tij. Për më shumë, ministri refuzoi që në çfarëdo varianti ta trajtojë si fajtor edhe këshilltarin e tij, Florent Ramqaj, i cili me pronarin e kompanisë e cila kërkon ryshfet nga një kompani tjetër, ka lidhje familjare.