Kemi premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës. Asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit.
Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale.
Nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë tonë.
Prandaj: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit.