Ish-kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari ka reaguar pas ndalesës që iu bë sot autobusit me studentë ndërkombëtarë nga një grup tifozësh.
Përmes një postimi në Facebook Jashari tha se ndihet i shqetësuar me këto pamje.
Tutje ai shtoi se ky ndalim ndaj studentëve bie ndesh me traditat tona të mikpritjes.
“Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë nderkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afermi të njihen me luftën, sakricën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lirë”, ka shkruar ndër të tjerash Jashari.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë nderkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afermi të njihen me luftën, sakricën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lirë.
Aksioni i sotëm pos që është në kundërshtin me traditën shqiptare në raport me mysafirin, bie ndesh edhe me qëndrimet tona si familje.
Memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për çdokënd që dëshiron të dijë vlerën e lirisë, duke përfshirë edhe ata që tani distancohen dhe njohin gjenocidin serb në Kosovë.
Në anën tjetër i kuptoj edhe reagimet e “Shqiponjave të Zeza” që të ndikuar nga lajme me tituj nxitës dhe nga emocionet realizuan një aksion jo të menduar aq mirë por gjithësesi pa ndonje qëllim të keq, andaj edhe duhet mirëkuptuar.
Uroj që raste të tilla që prishin imazhin e shtetit dhe shoqërisë sonë të mos përseriten.
Me shumë respekt për të gjithë nga familja Jashari!