Lëvizjet e para serioze politike kundër praktikave të përdorura nga Gjykata Speciale në rastin e Hashim Thaçit dhe liderëve tjerë të UÇK-së tashmë kanë filluar. Bëhet fjalë për lëvizje nga politika amerikane – kampi demokrat dhe ai republikan – që kanë shprehur brengë në lidhje me zhvillimet e fundit shqetësuese për shkeljen e të drejtave të të burgosurve.
Edhe pak muaj bëhen 2 vjet prej ditës kur janë arrestuar dhe paraburgosur disa prej figurave më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu ish kryeministrin dhe ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Mënyra se si ky Tribunal është duke operuar ka filluar të irritojë shumë njerëz në Kosovë, përfshirë edhe kundërshtarët politik të Hashim Thaçit, si kryeministri aktual Albin Kurti, që para disa kohësh patën shkruar “Shko Hashim”, e që ishte fjala për shkuarjen e tij drejt Hagës.
Mbajtja në paraburgim kaq e gjatë e tyre, në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare, në kundërshtim edhe me gjyqin e Hagës për ish Jugosllavinë, ka bërë që në muajt e fundit të aktivizohet shoqëria kosovare, duke kërkuar prej Tribunalit që të mos harrojë se ku është themeluar dhe kujt i jep llogari.
Vizita në Hagë e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, bëri që gjërat të lëvizin edhe në Kosovë, ku pas tij komandantët e UÇK-së i vizitoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e tash së voni edhe Zv. Kryeministri Besnik Bislimi.
Ndërkohë që më 16 korrik, Kuvendi i Shqipërisë ka propozuar një Projekt-Rezolutë që denoncon akuzat e bëra nga Dick Marty në drejtim të liderëve të UÇK-së. Kjo lëvizje mund të jetë në sinkron me atë të politikës amerikane.
Kurse, sa i përket vizitave joinstitucionale, ajo çfarë po ndodhë ka marrë përmasa të një pelegrinazhi. Pjesëtarë të mediave, të shoqërisë civile, të estradës i janë turrur burgut në Hagë, për t’i takuar udhëheqësit e shtetit dhe të luftës.
Sido që të jetë, e gjithë kjo do të ishte një gjë e kotë, sikur të mos ndizeshin edhe motorët e diplomacisë së shteteve më të fuqishme në botë.
Nacionale ka kuptuar që stërzgjatja e procesit, trajtimi i pashembullt i të paraburgosurëve, duke i mbajtur në burg pa justifikim bindës, ka filluar t’i shqetësojë disa figura të rëndësishme në politikën amerikane.
“Nuk ka kuptim që ky Tribunal të mos e lë asnjë rrugë çelë për t’u mbrojtur në liri personat që gjenden aty,”- ka thënë një burim i mirëinformuar.
Sipas këtij burimi, figura të rëndësishme të politikës amerikane kanë filluar të bëjnë pyetje të rëndësishme për këtë proces.
“Tribunali është i pavarur, por nuk është i shkëputur nga çdo gjë. Si duket operimi i tij në Hagë ka krijuar përshtypje të gabueshme të njerëzit që punojnë aty,” – tha ky burim./Nacionale/