Futbollisti kosovar, Bernard Berisha, ka publikuar një fotografi me liderin çeçen, Ramzan Kadyrov, i cili është përkrahës i madh i Vladimir Putinit dhe agresionit rus ndaj Ukrainës.
Berisha fotografinë e publikoi në llogarinë e tij në “Facebook”.
Përveç me Kadyrovin, ai gjithashtu publikoi foto edhe me drejtorin gjeneral të klubit Akhmat Grozny, Magomed Daudov.
Ramzan Kadyrov nga viti 2017 është edhe president i këtij klubi, ku edhe aktivizohet sulmuesi nga Peja.
Bernard Berisha është pjesë e Akhmat Groznyt që nga viti 2017, teksa ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023.
30-vjeçari ka 18 paraqitje me Kombëtaren A të Kosovës. Megjithatë, ai në kohët e fundit nuk është ftuar te “Dardanët”, që nga përplasja e tij me ish-përzgjedhësin, Bernard Challandes. /Gazeta Express/