Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani ka thënë se i është gëzuar golit të mesfushorit Arbnor Ramadani, teksa i ka uruar futbollistët e tij për fitoren e arritur.
“I gëzohem shumë golit të Arbnor Ramadanit. Është një djalë që punon shumë dhe ka cilësi të bëj ndeshje të mëdha. I uroj lojtarëve këtë fitore mjaftë të mundimshme. Është meritë e jona që krijuam shumë raste shënimi në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë u vërejt një lodhje nga ana jonë”.
“Uroj të kemi brenda javës një kontingjent të plotë të lojtarëve, pasi tashmë na mungon edhe Arbnori për shkak të përjashtimit. Të jepen dy kartonë brenda një minute është pak e dyshimtë”, tha Ramadani.
Tutje Ramadani tha se qëllimi është që ta ruajnë pozitën e tretë në tabelë në mënyrë që të jenë tërheqës për ndonjë donator të ri.
“Ne e kemi vendosur si objektiv që të luftojmë dhe në fund ta ruajmë këtë vend për të qenë më tërheqës për ndonjë donator të ri. Kur je poshtë nuk je tërheqës për donatorët. Do të mundohemi ta japim maksimumin, pasi na presin disa ndeshje të vështira, por kjo fitore do ta ndihmoj shumë ekipin nga ana psikologjike”, është shprehur Ramadani.