Po që se lidhet liberalizimi i vizave për Kosovën me hyrjen në fuqi të Sistemit evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS), Kosova rrezikon të mos e fitojë liberalizimin as në vjeshtën e vitit 2023, ka thënë korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj.
Të enjten, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se në presidencën çeke të Bashkimit Evropian është pranuar të merret parasysh kërkesa e Francës që të ndërlidhet procesi i liberalizimit me hyrjen në fuqi të ETIAS-it. Ky sistem është paraparë të hyjë në fuqi në nëntor të 2023-s, por në të kaluarën është shtyrë disa herë dhe rrezikon që e njëjta të bëhet prapë, ka paralajmëruar Palokaj.
“Në rastin më të mirë mund të nënkuptojë për vjeshtën që vjen… por në dokument s’përmendet data, vetëm hyrja në fuqi. ETIAS-i është vonuar disa herë e mund të vonohet përsëri”, ka thënë Palokaj që e ka quajtur të padrejtë ndërlidhjen e liberalizimit me ETIAS-in, si proces në të cilin Kosova s’mund të ketë ndikim.
Sipas tij, megjithatë “nuk është gjithçka e humbur”. Ai ka thënë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian do ta diskutojnë këtë çështje e se duhet pritur për rezultatet në ditët a javët në vijim.
Duke i komentuar tri marrëveshjet që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit të enjten, Palokaj ka thënë se bashkëpunimi rajonal është ndër kushtet për avancim në rrugën drejt integrimit evropian. Megjithatë, sipas tij vendet e rajonit janë shumë prapa në këtë proces dhe se integrim të shpejtë s’mund të ketë.