Gjykatësi i procedurës paraprake në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nicolas Guillou tha se synon që të kalojë çështjen të trupi gjykues para fundit të këtij viti.
Në hapje të konferencës së 15-të mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit ai tha se do të marrë vendim mbi kërkesat që janë paraqitur deri tani nga palët, por jo për ato që sipas tij nuk janë urgjente.
“Para se t’ju jap fjalën palëve që të paraqesin pikëpamjet e tyre për secilën pikë të rendit të ditës, konfirmoj se synoj t’ia kaloj çështjen trupit gjykues përpara fundit të vitit. Synoj të marrë vendim mbi kërkesat që më janë paraqitur deri tani për shqyrtim, por jo për kërkesa jo urgjente të cilat palët do t’i dorëzojnë nga dita e sotme deri në kalimin e çështjes së trupit gjykues, për të mos vonuar procedurat”, tha gjykatësi i procedurës paraprake.
Konferenca po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe të akuzuarit po marrim pjesë përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.