Drita i ka përballuar si është më së miri problemet e kësaj jave që po e lëmë pas. Humbja nga Liria e Prizrenit, në ndeshjen për kupë dhe ndarja e rrugëve me kryetrajnerin e deridjeshëm, Ardian Nuhiu, duken të jenë e shkuar, ngase në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor, Drita si mysafire e ka mundur Drenicën si me lojë, ashtu edhe me rezultat.
Kjo ndeshje i përkiste xhiros së tetëmbëdhjetë në Albi Mall Superligën e Kosovës, që ishte e fundit për stinorin vjeshtor.
Marko Simonovski ka shënuar dy gola me kokë (42′, 69′), ndërsa golin e tretë e realizoi Besnik Krasniqi nga pika e bardhë (79′) për Dritën.
Krasniqi shënoi edhe një autogol në minutën e 85-të për rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Bardhekaltrit e mbyllin stinorin vjeshtor me 38 pikë në pozitën e parë, por momentalisht kanë katër ndeshje më shumë se Ballkani i vendit të dytë, që ka 30 pikë.
Kuqezinjtë e Drenicës në anën tjetër kanë 20 pikë në pozitën e gjashtë.