Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka kritikuar ministrin Liburn Aliu për plotësimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.
Basha tha se Ligjit në momentin që i ndryshohet data e hyrjes në fuqi, legalizohen të gjitha objektet e ndërtuara deri më atë datë.
“Tash ky ligj ndryshohet edhe i ndërrohet edhe hyrja në fuqi. Që ta zëmë, ky ligj hyn në fuqi në mars 2023, legalizohen të gjitha ndërtimet deri në mars 2023. Pra, e bëjmë legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, sidomos ndërtesat”, u shpreh basha.
Deputeti pati kritika të ashpra edhe në lidhje me çmimet, duke thënë se 500 metra katrorë do të legalizoheshin për 4 mijë euro.
“Cili është interesi që një ndërtimtar ta legalizojë ndërtesën? Mendoj që qikjo s’është parimore, dhe kjo s’duhet me shku përpara. Puna kryesore e këtij ligji, mendoj unë është se e bën amnistimin e këtyre keqpërdoruesve që ndonjëherë janë quajtur edhe “mafi e betonit”. Këta jo që nuk dënohen por legalizohen”, tha Basha.
Deputeti i VV-së i u shpreh edhe se po amnistohen edhe nga hetimet kriminale keqpërdoruesit në fjalë.
Ndërkohë, edhe deputeti Haki Abazi pati kritika të ashpra duke i kërkuar ministrit që fjalimin e deputetit Dimal Basha ta merrte seriozisht.