Edhe një barrikadë e re është vendosur gjatë natës në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.
Sipas PK-së, vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë si dhe po pamundësohet hyrja-dalja në dy pikat kufitare.
“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”, thuhet në njoftim.
Nga Policia kanë thënë se dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të vendosjes së barrikadave.
“Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale”, thuhet më tej në njoftim.