Mungesa kushteve në Kosovë po i shtyn profesionistët shëndetësorë që të ikin nga sektori i shëndetësisë për të punuar jashtë vendit.
Vetëm në vitin 2022, dyqind e pesë mjekë të rinj ikën jashtë Kosovës, derisa rreth 60 specialistë shëndetësorë e lanë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për të vazhduar punën në spitalet private apo jashtë Kosovës.
Për mundësi më të mira se në Kosovë, në Gjermani iku edhe mjeku Flamur Llabjani.
Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Llabjani ka rrëfyer se tani paga është shumë e kënaqshme, por edhe sfidat derisa arriti të nënshkruante kontratë në Gjermani ishin të mëdha.
Llabjani tregon se mësimi i gjuhës gjermane prej nivelit A1 deri në B2 ishte vështirë.
“Mundësia për të arritur deri në Gjermani ishte një rrugë jo vetëm e gjatë por edhe me shumë vështirësi. Duke filluar nga kurset e gjuhës gjermane prej A1 deri në B2 në Kosovë, pastaj edhe vazhdimi me kursin shtetëror në Gjermani me nivelin B2/C1. Pas këtyre kontaktova spitalin në të cilin sot punoj, atje realizova një intervistë dhe u punëssova” – tha ai.
Llabjani thekson se paga në vendin ku punon është 7 herë më e lartë se në Kosovë. Si mjek në QKUK ai u pagua me më pak se 500 euro.
“Paga në krahasim me Kosovën personalisht për mua është mbi 7 herë më e lartë pasi paga ime ne Kosovë gjatë specializimit ishte 486€” – tregoi mjeku.
Sipas tij, në Gjermani mjekët respektohen maksimalisht.
“Për dallimet e të qenurit mjek ne Kosovë dhe Gjermani do të thoja që dallimi vërehet nga porta hyrëse e spitalit e deri tek personi i fundit të cilët tregojnë një respekt maksimal për mjekun dhe poashtu nga ana e pacientëve pranon gjithmonë një respekt të veçantë, i cili nuk ka munguar as ne Kosovë“.
Tutje, Llabjani thotë se mjekësisë në Kosovë i mungojnë shumë gjëra, por më e rëndësishmja është sigurimi shëndetësor, duke theksuar se paga nuk është problemi kryesor në Kosovë.
“Mjekësisë kosovare i mungojnë disa gjëra por kryesorja dhe e para është sigurimi shëndetësor i cili do te rregullonte sistemin shëndetësor shumë shpejtë, organizimi nga lartë – poshtë mungon poashtu kushtet e punës me të vërtetë nuk mund të krahasohen me vendet Europiane. Paga nuk do të thoja që është problemi kryesor në Kosovë” – tha ai.
Megjithëse u largua nga Kosova, mjeku Llabjani thotë se do të kthehet në Kosovë.
“Qëllimi im është grumbullimi i eksperiencave të reja ne Gjermani dhe me këto njohuri të kthehem dhe t’i praktikoj në vendim tim të cilit i kemi shumë borxh, me lutjen që sa më shpejtë të ketë ndryshime në sistemin shëndetësor” – nënvizon ai.
Lidhur me atë se ku duhet të fokusohet kjo Ministria e Shëndetësisë, Llabjani ka një këshillë.
Ai thotë se mjeku specialist pas specializimit duhet ta ketë vendin e punës e jo të sillet rrugëve pa punë.
“Fokusimi i Ministrisë së Shëndetësisë duhet te jetë tek krijimi i kushteve të favorshme të punës për punonjësit shëndetësor, sigurimi shëndetësorë, ndarja e specializimeve më shpesh dhe të jenë te planifikuara qe pas specializimit mjeku të ketë edhe vendin e punës të siguruar dhe jo mjeku specialist te sillet rrugëve pa punë” – përfundoi ai.
Ndryshe, Arben Vitia është emëruar sërish në pozitën e ministrit të Shëndetësisë. Vitia edhe më parë kishte udhëhequr me këtë ministri. Ai ishte dorëhequr nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, në tetor të vitit 2021 për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale ku garonte për të parin e Komunës së Prishtinës./Insajderi