Draft-Statuti i përgatitur nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për ta fuqizuar përmes Kuvendit të Jashtëzakonshëm të thirrur për datën 27 janar i ka befasuar disa klube të futbollit, të cilat haptazi për Gazetën Express thonë se nuk do ta votojnë, e disa të tjera kanë hezituar ta komentojnë.
Sipas këtij draft-Statuti, kryetarit aktual Agim Ademi, pasi t’i skadojë mandati në vitin 2026, do t’i hapet rruga të kandidojë përsëri dhe ta mbajë pozitën e presidentit me dekada, ndonëse me Statutin aktual kryetari i FFK-së mund t’i fitojë tri mandate. Ky ndryshim vlen edhe për Komitetin Ekzekutiv, të cilit mandati i skadon në vitin 2024 pasi janë zgjedhur në vitin 2020. Por, me këtë draft-Statut, këtij organi i zgjatet mandati edhe për dy vjet, deri në vitin 2026, pa zgjedhje. Ndërkohë, janë evidentuar edhe përmbajtje tjera kontroverse të këtij draft-Statuti.
E, për klubin e madh të Superligës, ish kampionen Trepça ’89, ky draft-Statut lë përshtypjen të jetë shkruar në një vend si në Korenë e Veriut. Kryetari i këtij klubi, Abedin Zeka, thotë se Trepça ’89 nuk do ta votojë këtë Statut, teksa potencoi që kjo nuk ndodh as në Korenë e Veriut e as në Rusi, vende të njohura për diktaturë.
“I frikshëm, i tmerrshëm, këtë as në Kore as në Rusi as askund nuk e bëjnë. Jo nuk e votoj këtë unë. Ky është i frikshëm. Në gjithmonë e kemi me Komitetin Ekzekutiv. Personalisht e kam problemin me Komitet Ekzekutiv. Ky jo që po don me shkarku këtë Komitet Ekzekiv, po po don me jau rrit jetëgjatësinë. Nuk vendos federata për KE, por vendosin regjionet, klubet”, tha Zeka për GE.
Edhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, thotë se klubi gjilanas ka mbetur i shokuar me përmbajtjen e këtij draft-Statuti.
“E kemi parë pak a shumë. Dje e kemi marrë, pasdite. Ajo përmbajtje ish një skandal i vërtetë. Pyetja është a ka dikush që e voton atë draft-Statut ashtu, me atë përmbajtje. Më mirë me i zgjedh të përjetshëm. Zgjedhjet duhet me qenë demokratike. Ne e kemi pranuar draft-Statutin. Nga ajo që kemi vërejt ka shumë parregullsi. Ia kemi dhënë avokatit të klubit. Në pika të trasha shihet që ka shumë parregullsi, por e presim përgjigjen prej avokatit”, tha për Express Zymberi.
Ndërsa, drejtori sportiv i Prishtinës, Artan Osmani tha se edhe klubi bardh e kaltër e ka marrë draft-Statutin, por që nuk kanë arritur ende ta analizojnë, ndërsa tha se nëse duan që klubet ta mbajnë si kryetar Agim Ademin, le ta mbajnë edhe 100 vjet.
“Po, e kemi marrë dje pasdite. Ende nuk kemi mbërri me analizuar. Sot gjatë ditës dhe nesër e analizojmë. Sigurisht i bëjmë komentet tona. Nuk e kam lexuar ende. Ai mund ta lërë të përjetshëm mandatin, le te lë qysh të dojë vet ai. Më duhet me i krahasuar edhe qysh i kanë të rregulluara federatat tjera, sa kohë mundën me kanë e qysh. Ai është draft, na mundemi me i bo komentet, ai e aprovon qysh të dojë. Nëse duan me mbajt klubet, le te mbajnë edhe 100 vjet, atë e meritojnë, atij ia pafshin hairin” u shpreh Osmani për Express.
Kryetari i Ballkanit, Arsim Kabashi tha se nuk e ka parë ende draft-Statutin dhe nuk mund të japë ndonjë koment momentalisht.
“Nuk më ka ardhur ende. Nuk e di me statut si janë, nuk i marr vesh fort. Nuk e di sa mandate ka të drejtë. Pa e shikuar draft-Statutin nuk mundem me dhanë ndonjë koment”, tha Kabashi.