Trupi gjykues në rastin ku po akuzohen Hashim Thaçi dhe të tjerët, ka nxjerrë vendimin e gjashtë lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në procedurë.
Në këtë vendim, janë refuzuar shtatë aplikacione të pretenduara për viktima, kurse janë pranuar tri.
Kjo është bërë e ditur në një vendim të bërë publik në faqen e Gjykatës Speciale.
“Trupi Gjykues II nxori vendimin e gjashtë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Tre parashtrues të tjerë kërkesash u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor, të cilët do t’i shtohen grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 137 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash. Në vendimin më të fundit u refuzuan shtatë kërkesa. Bashkë me këta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 140”, thuhet në njoftim.
Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së fillon më 3 mars.