Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se delegacioni i Republikës së Kosovës në takimin e Ohrit, kanë qenë maksimalisht i përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala serbe, e cila sikurse në Bruksel me 27 shkurt, sipas tij, përsëri refuzoi të nënshkruajë.
Kështu ka deklaruar kryeministri Kurti gjatë takimit me ambasadorët e ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë. Diplomatët ndërkombëtarë, shefi i Qeverisë i takoi me ftesë të tij, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi.
Në këtë takim të gjerë e të përbashkët, Kurti i informoi ata për ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë.
“Në tekst të Aneksit të dakorduar në Ohër thuhet që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur, ka thënë me tej Kurti, citon Qeveria.
“Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova tashmë ka numrin e nevojshëm të votave të shteteve anëtare, ndërkohë që departamenti ligjor i Këshillit ka konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë juridike për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme”, ka thënë Kurti, citon qeveria në njoftimin për media.