Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e sotëm të Komitetit të Ministrave.
Këtë e ka konfirmuar këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Rejhan Vuniqi, e cila shpreson për zhvillime pozitive në këtë hap drejt integrimit evropian.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në agjendë për takimin e të hënës së Komitetit të Ministrave. Le të shpresojmë për zhvillime pozitive në këtë hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian”, ka shkruar Vuniqi në Twitter.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, para disa ditësh është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom, ku ka theksuar se kanë biseduar për anëtarësim e Kosovës në KiE.
“Ne biseduam për Këshillin e Evropës. Janë kryer disa procedura. Dhe kërkesa jonë është që të kalojnë sa më shpejt këto procedura. Ne jemi optimistë për anëtarësimin e Kosovës. Kërkojmë anëtarësim meritor”, ka thënë ajo.