Në prag të kryendeshjes Gjilani – Drita që do të luhet këtë të diele, Klubi i Futbollit Drita ka organizuar një konferencë shtypi, në të cilën para kësaj ndeshje jetike për të dy klubet kanë folur kryetrajneri i Dritës, Akis Vavalis dhe lojtari Besnik Krasniqi
Akis Vavalis, kryetrajner i Dritës ka thënë se ndeshja e humbur ndaj Ballkanit tashmë është harruar dhe se Dritën e presin edhe tri finale deri në titullin kampion. Ai tha se ndeshjet do t’i marrin një nga një dhe se për ta e rëndësishme është ndeshja ndaj Gjilanit, të cilën duhet doemos t’a fitojnë, ngase çdo rezultat tjetër ua vështirëson punët. Ai ka thënë se Gjilani ka një ekip të mirë, se luajnë shumë mirë në mbrojtje dhe se ata gati se e kanë të siguruar daljen në Evropë, kurse për ekipin e tij tha se është në formë, ngase në ndeshjen ndaj Ballkanit pati më shumë nga loja, por që fati i keq i përcolli në fund të ndeshjes.
I pyetur se nuk ka luajtur lojë sulmuese ndaj Ballkanit, por e më tepër është munduar që të humb, Vavalis tha e Drita e ka dominuar ndeshjen, pati më shumë raste, por që u dënua nga një rast dhe nga një gjuajtje nga këndi. Vavalis tha të ketë patur tri mungesa të mëdha në sulm, ngase Ajzeraj është i lënduar, Simonovski vazhdon të vuaj nga lëndimi e Tahiri sipas sugjerimit të mjekëve kishte mundësi të luaj vetëm 20 minuta.
Edhe Besnik Krasniqi, lojtar i Dritë ka thënë se në ndeshjen ndaj Gjilanit do të luajnë vetëm për fitore. Sipas tij, tek Drita ka një motiv të madh për të shënuar fitore, lojtarët do të japin gjithçka nga vetja dhe se fitorja për ta nesër është shumë e rëndësishme.
“Jemi munduar të punojmë dhe t’i largojmë të gjitha gabimet që i kemi pasur e sa i përket ndeshjes ndaj Gjilanit ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe nëse e japim maksimumin do t’a fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Besnik Krasniqi