Xhiroja e 34 në Superligën e Kosovës në futboll zhvillohet këtë të dielë me pesë ndeshje që nisin nga ora 15:00.
Spikat kryendeshja në Gjilan, me derbin e madh lokal të futbollit të Kosovës mes Gjilanit dhe Dritës.
Kjo ndeshje njëherit do të jetë në një mënyrë edhe përcaktuese për fatin e Dritës në rrugën e tyre drejt titullit të kampionit këtë edicion.
Vëmendja do të jetë edhe në stadiumin e qytetit në Suharekë, me Ballkanin që i bën konak Llapit.
Fitorja është e domosdoshme për Ballkanin në këtë duel, ngase çdo rezultat tjetër do ta favorizonte Dritën në garë për titullin e më të mirit.
Prishtina udhëton te Malisheva, Ferizaj dhe Trepça ’89 luajnë derbin e mbijetesës, ndërkohë Dukagjini luan në Skenderaj te Drenica.