Avokati serb, Çedomir Stojkoviç ka njoftuar se tre policët kufitarë të kidnapuar në brendësi të Kosovës nga forcat serbe janë në Kralevë, ku tashmë është duke u zhvilluar seanca gjyqësore ndaj tyre.
Ai në Twitter ka shkruar se në këtë seancë gjyqësore, gjyqtari në Kralevë do të vendosë nëse tre policët do të mbesin në paraburgim ose do të lirohen.
Teksa theksoi se e tëra duhet të qartësohet deri në orën 12:30, kur edhe skadon afati 48-orësh i ndalimit policor.
“Policët e arrestuar të Kosovës, R.Z., B.S. dhe M.S ndodhen në Kraljevë, ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para Prokurorit të Lartë Publik në Kraljevë. Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kraljevë do të vendos nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendos nëse do të caktojë paraburgim për 30 ditë. E gjithë kjo duhet të vendoset deri në orën 12:30, kur skadon 48-orët e ndalimit policor”, ka shkruajtur ai.
Ndryshe ministri i Punëve të Brendshme, Xehlal Sveçla, gjatë ditës së mërkurë kishte njoftuar se janë kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Kosovës nga, siç kishte thënë ai, Serbia kriminale.
Sipas tij, zyrtarët policorë kanë qenë të vendosur brenda territorit të Kosovës dhe sipas Sveçlës, kjo përbënë shkelje të çdo marrëveshjeje kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.
Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e arrestuar nga forcat serbe, mirëpo kërkesa e tij ende nuk është trajtuar, pasi ende nuk janë bërë 48 orë nga paraburgimi i tyre.
Kurti tha se ambasadori Jetish Jashari ka kontaktuar edhe me misionin e BE-së në Beograd, ambasadorët e QUINT-it dhe organizatat për të drejtat e njeriut.