Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur të ia vazhdojë në paraburgimin edhe për dy muaj avokatit Hamdi Jashari, i cili dyshohet se mori 8 mijë euro nga pala për t’ia dhënë gjyqtarëve Ëshë miratuar kërkesa e prokurorisë që t’i vazhdohet edhe për dy muaj tjerë masa e paraburgimit ndaj Hamdi Jasharit, i cili dyshohet se në cilësinë e avokatit i kishte kërkuar 8 mijë euro një pale në Gjykatën e Gjilanit. Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Zyrtarja për Informim Publik, Mirlinda Gashi.
“Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.J. për shkak të dyshimit të bazuar se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 2 (dy ) muaj.” – thuhet në njoftimin nga ana e zonja Gashi.
Lidhur më këtë kërkesë të prokurorisë për vazhdim të paraburgimit, avokati mbrojtës i të pandehurit, avokati Shemsedin Piraj kishte thënë për KALLXO.com se ka paraqitur kundërshtim lidhur me këtë kërkesë. Ai dyshohet se i kishte kërkuar 8 mijë euro një pale në Gjykatën e Gjilanit që pastaj ato para t’i jepen gjyqtarëve në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i dyshuari.
Gjykata kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës që avokatit H.J., t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin H.J., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale – ushtrim i ndikimit. Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë në Gjykatën e Gjilanit me premtimin që këto para do t’ia japë kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari./Kallxo.com/