Ilir Murturi, profesor në Universitetin e Vjenës, thotë se është refuzuar nga UP-ja për pozitën Profesor Asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Siç ka njoftuar Murturi në një shkrim publik ai ka shprehur gatishmërinë që të kontribojë në fushën e hulumtimit.
“Me keqardhje kam pranuar lajmin se komisioni recensues paska refuzuar aplikimin tim në pozitën Profesor Asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Universiteti i Prishtinës (UP)”, kishte shkruar Murturi në Facebook.
Murturi për Insajderin ka thënë se rregulloret në Kosovë janë bërë për të ju përshtatur individëve të caktuar dhe jo për ngritjen e cilësisë në arsim.
“Thirrja ime e publikuar është e qartë karshi këtij fenomeni që tash e sa vite po ndodh në Kosovë ku njerëzit pranohen në pozita të ndryshme për shkak të kritereve/rregulloreve që fatkeqësisht janë bërë për të ju përshtatur individëve të caktuar dhe jo për ngritjen e cilësisë në arsim dhe edukim. Unë jam duke luftuar që kriter të jetë dija dhe jo disa rregullore të çuditëshme”, ka thënë Murturi për Insajderin.
Tutje Murturi ka thënë se ka pranuar reagime të shumta këto ditë.
Thirrja ime nuk është vetëm për mua, është për të gjithë aplikantët nga jashtë që padrejtësisht janë refuzuar, është për studentët, është thirrje për ndryshim, është thirrje për reforma të thella në sistemin arsimor në Kosovë, dhe veçanërisht në Universitetin e Prishtinës. Në dy ditët e fundit kam pranuar me dhjetëra mesazhe nga kolegët anë e mbanë botës që janë refuzuar padrejtësisht por që prapë synojnë të kthehen në Kosovë.
Mes tjerash, Murturi ka thënë se Universitetit të Prishtinës i duhen kuadro të kualifikuara dhe jo vetëm numra.