Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, vlerëson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, po e shohin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si një shtyllë kyçe të qasjes së tyre ndaj rajonit.
Në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, Vogel ka komentuar qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Është e qartë se si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja e shohin Vuçiqin si një shtyllë kyçe të qasjes së tyre ndaj rajonit. Ideja është se ai mund të jetë një ndikim i moderuar mbi Dodikun dhe se ai mund të largohet nga ndikimi i Moskës. Unë nuk mendoj se asnjëra nga këto pika është e saktë dhe besoj se është e rrezikshme të shpërblehet autoritarizmi i Vuçiqit duke ndëshkuar zgjedhjen demokratike të Kosovës”, u shpreh Vogel.
Vogel tutje mendon se Kosova dhe Serbia kanë arritur në fund të dialogut siç menaxhohet aktualisht.
“Dialogu nuk ka prodhuar asgjë kuptimplotë për shumë vite, përveç marrëveshjeve të përkohshme për të zbutur kriza të caktuara. Do të ishte jashtëzakonisht e dobishme nëse SHBA-ja dhe BE-ja do të riangazhoheshin për një dialog për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, dhe do ta bënin të qartë se pengimi i bisedimeve për një rezultat të tillë do të përballej me sanksione të shpejta. Ndoshta do të ndihmonte gjithashtu nëse – disa nga 5 jo-njohësit si Greqia apo Sllovakia do ta njihnin Kosovën tani. Por dritarja po mbyllet, me zgjedhjet evropiane në qershorin e ardhshëm dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor 2024, jam jashtëzakonisht skeptik se një marrëveshje mund të arrihet para kësaj dhe kush e di se si do të jetë situata pas kësaj. Mund të shohim një krizë të përshkallëzuar në Bosnje dhe Hercegovinë këtë vjeshtë, e cila mund ta bëjë Perëndimin të ndihet edhe më shumë se sa është tashmë rasti – se ka nevojë për Vuçiqin; në të njëjtën kohë, zhvillimet në Ukrainë dhe Rusi mund të ndryshojnë gjithashtu llogaritjen për Vuçiqin dhe për aleatët e tij perëndimorë. Pra, ne po hyjmë në një kohë të pasigurisë së madhe. Por unë mendoj se rezultati më i mundshëm është një konflikt i ngrirë i vazhdueshëm, të cilin Beogradi do ta ringjallë sa herë që të jetë i dobishëm politikisht”, u shpreh Vogel. /Reporteri.net/