Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ka marrë përgjegjësinë e plotë për ngjarjet në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Kështu është thënë në deklaratën e lexuar për media nga avokati i tij, Goran Petronijeviq.
“Po e informoj opinionin se së bashku me bashkatdhetarët e mi më 24 shtator kam ardhur në veri të Kosovës në rajonin e Banjskës”, ka thënë Radojiçiq në një deklaratë.
Siç shton ai, arsyeja e kthimit të tij në Kosovë ishte “inkurajimi i popullit në rezistencën ndaj regjimit të Albin Kurtit”.
Në deklaratën e tij, Radojiçiq theksoi se nuk ka pasur ndihmë nga autoritetet në Beograd dhe as nuk i ka njoftuar për qëllimet e tij, sepse ata tashmë kanë pasur dallime në disa qëndrime.
“I njoftoj të gjithë të përndjekurit në detyrë të popullit serb se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit serb kundër okupatorit dhe ky akt nuk ka të bëjë me përfshirjen time të mëparshme politike. Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga autoritetet serbe apo strukturat vendore dhe as kam marrë ndonjë ndihmë prej tyre sepse deri atëherë kemi pasur dallime të mendimeve”, thuhet në deklaratën me shkrim të Radojiçiqit.
Të dielën, më 24 shtator, një polic i Kosovës u vra në fshatin Banjskë nga një grup terrorist serb, akt i cili u pasua nga një aksion i njësive speciale të policisë së Kosovës që synonte neutralizimin e grupit i cili ishte strehuar në Manastirin e Banjskës.
Në aksion u vranë tre terroristë serbë. /Klankosova.tv