Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë në Spanjë përpara anëtarëve të organizatës socialdemokrate në Evropë ka thënë se Qeveria nën drejtimin e tij po e forcon sundimin e ligjit në Kosovë dhe janë të vendosur në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, shkruan Reporteri.net.
“Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysëm para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë përmendi Raportin e Komisionit Evropian, ku sipas tij, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe në shkallen e vet, duke përmirësuar nivelin e vet të përgatitjes në pesë kapituj negociues.
“Përmendje të tjera të rëndësishme janë një rritje prej 34% në punësim, miratimi i ligjeve mbi financimin e partive politike dhe zgjedhjeve të përgjithshme, si dhe rreshtimi me sanksione të BE-së dhe ShBA-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Sektori i drejtësisë ka themeluar Gjykatën Komerciale për të drejtat e pronësisë intelektuale, ka përforcuar rikuperimin e aseteve me një koncept të ri të fondit të konfiskimit dhe ka përparuar në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit”.
“Pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur vendi im, brishtësinë e trashëguar para tri krizave të njëpasnjëshme botërore – pandemisë, krizës së energjisë dhe asaj të inflacionit – buxheti ynë do të vazhdojë të rritet vitin tjetër, duke arritur një rekord të ri, ndërsa për herë të parë BPV-ja po tejkalon 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje thuajse 50% të BPV-së në katër vitet e fundit”, ka deklaruar Kurti.