Emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ka thënë se sulmi terroristë në Banjskë i cili ndodhi në shtator të vitit të kaluar, diskutohet në çdo takim.
Lajçaku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, tha se çështjen e sulmit në Banjskë e ka ngritur edhe gjatë vizitës në Beograd, pasi BE-ja pret që personat përgjegjës të sillen para drejtësisë, transmeton Zeri.
“Sulmi i Bajnkës diskutohet në çdo takim prej se ka ndodhur dhe e kam ngritur edhe dje në Beograd sepse natyrisht, publiku evropian dhe shtetet anëtare të BE-së presin pasojat dhe personat përgjegjës të sillen para drejtësisë”, tha Lajçaku.
Ai tha se BE-ja nuk është duke kryer hetime, por ato janë duke i bërë shtetet individuale.
“Kur flasim për hetimet, unë nuk jam adresa e duhur pasi nuk ka hetime që udhëhiqen nga BE-ja, por vendet janë duke i bërë hetimet e veta. Bashkimi Evropian nuk po bën hetime por vetëm po merr informata nga partnerët”, shtoi Lajçaku para gazetarëve në Prishtinë.