Për dy muajt e parë të vitit 2024 nga Kosova janë larguar 28 mjekë të rinj.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës thonë që është trendi i njëjtë i ikjes për në Gjermani, sikur edhe vitin e kaluar, por mbetet shqetësuese.
“Për dy muajt e parë, deri sot, janë 28. Nuk është numër i vogël, d.m.th janë kolegë që i kanë marrë dokumentet e nevojshme prej Odës, që të punësohen në shtetet e perëndimit, kryesisht në Gjermani”, u shpreh Pelurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, Kosovë.
Arsyet kryesore që shtyjnë mjekët e rinj të largohen nga Kosova janë të shumta, por që lidhen me kushtet e punës.
“Kryesorja është kushtet e punës, e dyta është kushtet dhe kualiteti i shkollimit specialistik, që ka të bëjë me gjeneratën që do të specializohet. Disa prej tyre e kanë ndërpre shkollimin për të vazhduar jashtë dhe pastaj vjen paga”, tha Sejdiu.
Sipas Odës së Mjekësve brenda tre vjetësh sektori i shëndetësisë në vend do të përballet me mungesë të theksuar të mjekëve.
“Mungesa e tyre do të vërehet brenda tre-katër vitesh, pasi kjo është gjenerata që do të duhej të na zëvendësonte ne, që shkojmë në pension. Llogaritet që për 10 vitet e ardhshme, diku, 700 mjekë specialistë do të shkojnë në pension. Këta do të duhej që pas specializimit tani, do të na zëvendësonin”, tha ai.
Që nga viti 2008 e deri më tani, nga vendi janë larguar mbi 400 mjekë, kryesisht të rinj. /TCH