Shefi i shtabit teknik, Gentjan Mezani kërkon nga futbollistët e tij që të japin më tepër se 100% nga ndeshjet e mbetura të kampionatit, pasi që sipas tij kjo është forma e vetme për të arritur pikët të cilat do përmbushin objektivin e sezonit.
Në prag të duelit ndaj Malishevës tekniku i ‘kuqebardhëve’ deklaroi se skuadra që ai drejton do të udhëtojë për pikët e plota, ndërkohë që u ka bërë thirrje futbollistëve që të japin me tepër se maksimumin.
“Jemi para një ndeshje shumë të rëndësishme për ne, para njërës nga pesë finalet e fundit. Jemi të detyruar të marrim rezultat pozitiv, pasi që ndeshjet po shkojnë drejt fundit dhe fitorja është i vetmi rezultat që na bën punë. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për një gjë të tillë dhe shpresojmë të ja arrijmë”.
“Gjithë futbollistët janë të rëndësishëm, kam besim te secili prej tyre. Ne do të luftojmë me ata të cilët janë në dispozicon për të marrë maksimumin nga ndeshjet e mbetura. Unë kërkoj nga ta të japin më tepër se 100%, pasi që kjo është mënyra e vetme për të arritur te rezultatet të cilat i kërkojmë”.
Nuk ka vend për gabime, tifozët lojtari numër “12”
Ndër të tjerash, Mezani potencoi se gabimet nuk janë të lejuara në këtë finish kampionati, ndërkohë që ka edhe një ftesë për tifozët.
“Nuk na lejohet të gabojmë, pasi që çdo pikë është e rëndësishme. Ne do luftojmë për të marrë maksimumin e tyre në çdo ndeshje, mirëpo jam i bindur që në fund çdo pikë është e vlefshme. Jemi munduar që gjatë javës të punojmë shumë dhe të harrojmë ndeshjen e fundit të cilën e humbëm në shtëpi ndaj FC Ballkanit”.
“Tifozët nuk e meritojnë të shohin klubin e tyre të zemrës në këtë renditje të cilën është tani. Ne jemi përgjegjës dhe borxhlinj ndaj tyre, pasi që ata gjithmonë kanë treguar mbështetje të parezervë ndaj nesh. Ne kemi nevojë për ta më shumë se kurrë, prandaj u bëj thirrje që të jenë sa më shumë në numër për këto finale, sepse së bashku jemi më të fortë”.
Malisheva v. Gjilani zhvillohet të dielen më 5 Maj me fillim nga ora 15.00 në stadiumin “Liman Gegaj” të Malishevës.