Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka krahasuar kushtëzimin e ndërkombëtarëve rreth anëtarësimit në Këshillin e Evropës me çështjen e demarkacionit.
Ai ka deklaruar se Kurti e ka shfrytëzuar çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi për konsum të brendshëm dhe e kishte vonuar liberalizimin e vizave për gjashtë vite.
“Kërkesë shtesë ka qenë prej BE-së ligji për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, por Kurti e ka shfrytëzuar për konsum të brendshëm dhe ia ka vonuar Kosovën liberalizimin 6 vjet. Kjo ka ardhur si kërkesë e NATO-s, për nevojën e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, s’ka pasur lidhje me Kosovën”, ka thënë ai në “Info Magazine”.
Situata në të cilën ndodhet qeveria sot, sipas tij e ka kthyer vendin në vitin 2017.
“Nuk kemi mundur ta menaxhojmë sepse VV-ja dhe partnerët atë kohë të opozitës e kanë shfrytëzuar për konsum të brendshëm. Sot, situata me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e ka kthyer Kosovën në vitin 2017″, citohet se ka thënë ai.