Kryeministri Albin Kurti po përzihet në një nivel tjetër në zgjedhjet lokale në Luginë të Preshevës, të cilat do të mbahen të dielën.
Ai ka vendosur që në këto zgjedhje t`i përkrah kandidatët për kryetar komunës së Preshevës dhe Bujanovcit, të cilët janë edhe këshilltarë të qeverisë së tij, raporton Nacionale.
Madje, njerëzit e këtyre kandidatëve po i “kërcënojnë” shqiptarët e Luginës së Qeveria e Kosovës do të jep para për Luginën vetëm nëse Ardita Sinani bëhet kryetare e Komunës së Preshevës dhe Ragmi Mustafi bëhet kryetar në Bujanovcit, të cilët janë nga Partia për Veprim Demokratik.
Shpetim Haliti, njeriu i Ardita Sinanit, e cila është këshilltare e Albin Kurtit dhe kandidate për kryetare të Preshevës, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta ndihmojë Preshevën nëse kryetar i kësaj komune bëhet dikush tjetër.
Në një intervistë për një televizion lokal, Haliti ka thënë se nëse Sinani fiton Qeveria e Kosovës do ta përkrah këtëkomunë në fushën e bujqësisë.
“Ka shumë burokraci dhe nuk ka mundësi ligjore që ata e me financu direkt bujqësinë dhe nuk kanë gjet mekanizëm, prandaj dhe janë të obliguar përmes komunës”, ka thënë ai.
Kur gazetari e pyet nëse Qeveria e Kosovës po pret të ndërrohen strukturat qeverisëse në Preshevë, ai e konfirmon një gjë të tillë.
“Sepse dihet që me pushtetin e kaluar çfarë raportesh ka pasur Qeveria e Republikës së Kosovës. Edhe në rastin më të keq, nëse ish-pushteti do jetë në pushtet, njësoj do veproj Qeveria e Kosovës, sepse nuk iu beson atyre përderisa nuk iu ka besuar”, ka thënë Haliti.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndihmuar Preshevën vetëm pse kryetar i kësaj komune ka qenë Shqiperim Arifi. Ky i fundit ka qenë kritik i ashpër i kryeministri Kurti.
“Përderisa në pushtetin e kaluar nuk ka ndarë mjete Qeveria e Republikës së Kosovës, sepse ata vendosin nuk e vendosim ne, logjikisht që nuk i ndanë prapë. Sepse nuk e ka besimin dhe bashkëpunimin me ata. Ne e dimë si ka qenë bashkëpunimi i pushtetit të kaluar me Qeverinë e republikës së Kosovës, duke sha dhe duke akuzuar kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Haliti.
Edhe zyrtarët e subjektit Alternativa për Ndryshim kanë bërë me dije se rivalet e tyre për të ardhur në pushtet të dielën po i përdorin parat e Qeverisë së Kosovës.
Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se një gjë e tillë nuk është fer.
“Ardita Sinani me paratë e Kosovës që ja ka aprovuar Kurti mundohet të joshë qytetarët e Luginës së Preshevës me votë, por ata janë të vetëdijshëm që nuk e lejojnë me shitë intelektin e tyre me parat nga Kosova për Sinanin sepse ajo është një person e korruptuar dhe që i ka humbur zgjedhjet një pas një dhe në këtë formë do ti humb sërish”, ka thënë ai për Fron Online.
Kandidatët e PVD-së organizojnë tubin në Prishtinë, Kurti merr pjesë
Dyshimet e zyrtarëve të Alternativës për Ndryshim i ka forcuar edhe tubimi i kandidatëve të PVD-së në Prishtinë, ku do të marr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
“Në kuadër të zgjedhjeve lokale që po mbajmë në komunat tona në Luginë të Preshevës, do të mbajmë një takim edhe me ju në ambientet e Universitetit të Prishtinës. Më 29 maj, të mërkurën e kësaj jave, shihemi në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik të këtij Universiteti. Ftoni familjen, miqtë, shokët e shoqët dhe ejani bisedojmë e shpalosim zotimet tona për komunën”, është thënë në njoftimin e PVD-së.
Kjo përfshirje e kryeministrit Kurti, ka nxitur reagime edhe në Kosovë.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se Kurti me këto veprime po nxit përçarje në mes të shqiptarëve.
“Albin Kurti po e vazhdon vallen e përjçarjes së shqiptarëve në Ballkan. Pas ndërhyrjes në zgjedhjet e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, sot paska takim elektoral me vetëm një parti politike të Luginës. Në vend se të përpiqet t’i unifikojë ata, siç kishte bërë Shqipëria në zgjedhjet e fundit, Kurti po i fryen zjarrit të ndasive mes vëllezërve dhe motrave tona në Luginë. Nuk kam arritur ende t’a kuptoj entuziasmin e Kurtit për përçarje e ndasi – por kjo gjë nuk ka sjellë asnjëherë diçka në dobi të shqiptarëve. I papërgjegjëshëm deri në ekstrem”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.