Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me posterët që janë vendosur në veri për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Posterat i dedikohen Vuçiqit, ku thuhet se “komandan suprem, po të presim”.
Sveçla për këtë mesazh ka thënë se nëse Vuçiq niset pa kërkesë të MPJD-së, atëherë i njëjti do të dërgohet në burg, mu mandej mund të vizohet aty bashkë me miqtë e tij.
“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij“, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Mëngjesin e sotëm, në katër komunat veriore janë parë posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.
Lidhur me këtë, Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, për teve1.info tha se posterët janë shfaqur në disa lokacione.
Ndërkohë, bëri të ditur se pas konsultimit me prokurorin e shtetit është hap rasti “Nxitje e Urrejtjes”.
Deri më tani, Elshani tha se nuk kanë persona të dyshuar.
“Nuk kemi të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, deklaroi Elshani./teve1.info/