Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas shpërthimit të sotëm në afërsi të Liqenit të Ujmanit, ku u dëmtuan dy automjete, teksa theksoi se Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdisë normaliteti i krijuar në veri të vendit.
Ai ka theksuar se institucionet e sigurisë do t’i dërgojnë para drejtësisë të përfshirët në këtë sulm kriminal.
“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, kryeministri ka thënë se rruga e vetme është sundimi i ligjit dhe rendi publik dhe se kjo pjesë e Kosovës me me potencialin dhe bukuritë e saj do të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët pa dallim.
“Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka theksuar tutje Kurti.