Pika kufitare në Jarinjë e cila ishte e bllokuar për qytetarët me dokumente të Kosovës, nga sot në mëngjes është lëshuar për qarkullim.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Reporteri.net se qarkullimi në pikën kufitare në Jarinjë është e lëshuar për qarkullim.
“Në Jarinje po qarkullojnë veturat, për momentin nuk ka asnjë problem, kurse dy pikat tjera kufitare Bërnjaku dhe Merdarja vazhdojnë të jenë të mbyllura”, ka thënë Elshani për Reporteri.net.
Ai tutje ka thënë se “situata është e qetë, nuk ka pasur ndonjë incident”.
Kujtojmë se persona të maskuar janë parë mbrëmë pranë një bllokade të vendosur në pjesën serbe të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës në Bërnjak.
Kryediplomatja Donika Gërvalla reagoi pas mbylljes së Bërnjakut, ku tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllyur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet. Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë”, shkroi Gërvalla.
Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka akuzuar Policinë e Serbisë së para syve të tyre po lejojnë që grupet të ekstremistëve të bllokojnë kalimet në pikat kufitare me Serbinë.
Ai ka njoftuar se një familje kosovare që po udhëtonte drejt Gjermanisë i është pamundësuar vazhdim i udhëtimit dhe janë kthyer prapa me forcë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, “fakt ky që e bën atë bashkë fajtore”.
Ministri Sevçla tha se këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme.
“Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim.”, tha ai