Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në krye me Arbërie Nagavcin, u ka shkruar komunave shkresë në lidhje me vetëlëndimet e nxënësve në TikTok.
Njoftimi:
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duke marrë shkas nga rastet e fundit të vetëlëndimit të vajzave të mitura si pasojë e ndikimit nga platforma Tik-Tok, u është drejtuar sot përmes një shkrese të gjitha komunave të Republikës së Kosovës për t’ua rikujtuar domosdoshmërinë për zbatimin të politikave të mbrojtjes së fëmijës, në mënyrë që fëmijët tanë të rriten të sigurt dhe të mbrojtur nga rrethanat e dëmshme për zhvillimin e tyre. MAShTI si hartuese e politikave ka bashkëvepruar me instancat tjera në fazën e hartimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe të akteve nënligjore që derivojnë nga ky ligj.
Në linjë me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, është hartuar edhe Politika për Mbrojtjen e Fëmijës në Arsimin Parauniversitar, e cila ka për qëllim krijimin e një mjedisi të sigurtë për të gjithë fëmijët dhe të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar publik dhe privat në Kosovë, duke vendosur parime dhe rregulla, të cilat duhet respektuar denjësisht. MAShTI ka kërkuar që ky dokument të ndahet me të gjithë drejtorët e shkollave, me sygjerimin që t`i kalohet stafit të institucioneve edukative dhe arsimore për ta lexuar, mirëkuptuar dhe nënshkruar deklaratën e saj.
Aktualisht stafi i MAShTI është duke i mbajtur seancat informuese me komuna në lidhje me këtë dokument. Deri tani janë realizuar seancat në: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Klinë, Prishtinë, dhe do të vazhdohen këto ditë edhe në komunat: Lipjan; Shtime, Fushë Kosovë, Graçanicë, Obiliq, Kamenicë, Rahovec, Suharekë, Vushtrri, Istog, deri sa t`i mbulojmë të gjitha, përfshirë edhe me tryeza të përbashkëta.