Kombëtarja e Kosovës në futboll është e vendosur për të marrë fitoren e radhës në Ligën e Kombeve.
Kjo do të ishte fitorja e dytë këtë muaj dhe e treta rresht në katër ndeshje të luajtura në kuadër të Ligës B dhe do të mbetej në garë për pozitën e parë në grupin e saj.
Sot, prej orës 20:45, Kosova do të përballet me Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, i cili do të jetë i stërmbushur pasi tashmë janë shitur të gjitha biletat.
“Dardanët” të hënën pasdite kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin e kryeqytetit dhe janë plotësisht të gatshëm që me përkrahjen e tifozëve të sigurojnë fitoren e radhës.
Muajin e shkuar, Kosova e mposhti 4:0 Qipron në Larnaca dhe optimizmi edhe i madh edhe për fitoren e radhës dhe të dytën të këtij muaji, pasi ditë më parë triumfuan në udhëtim tek Lituania.
Selektori i Kosovës, Franco Foda nuk ka hezituar të pranoj se ekipi i tij ndaj Qipros do të futet për fitore dhe sigurisht që pret angazhim maksimal prej të gjithë futbollistëve.
Pavarësisht se ka vlerësuar Qipron, Foda ka insistuar se asnjë rezultat tjetër veç fitores nuk vjen në shprehje duke pasur parasysh se nuk do të kënaqet me vendin e dytë në grup.
Ai ka bërë të ditur se në dyshim për këtë ndeshje është mesfushori Valon Berisha, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të Arijanet Muriqit në portë.
Kosovës ndaj Qipros i mungon Elvis Rexhbeçaj shkaku i suspendimit, i cili sipas të gjitha gjasave do të zëvendësohet nga Muharrem Jashari.
Krahas Fodas, optimizmin e tij për fitore ndaj Qipros e ka shprehur edhe Edon Zhegrova, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes tha se pret një lojë të mirë të Kosovës dhe sa më shumë gola për një fitore bindëse.
Kosova është e dyta në Grupin C2 me 6 pikë, tri më pak se Rumania që është e para dhe tri më shumë se Qipro që zë vendin e tretë. Pa pikë dhe në pozitën e fundit në grup është Lituania.