Viti- Dy persona të maskuar kanë vendosur një arkivol para dyerve të shtëpisë së një familje në qytetin e Vitisë.
Në videon e publikuar nga “Betimi për Drejtësi” shihen të dy persona duke e bartur arkivolin dhe duke e lënë para dyerve të një shtëpie, e cila ngjarje dyshohet se ka ndodhur të shtunën në mesnatë.
Po ashtu, në video shihet se si njëri nga të dyshuarit bën fotografimin e arkivolit.
Nga policia rajonale e Gjilanit kanë bërë të ditur se tashmë kanë nisur hetimet.
“Me datën 27.10.2024 rreth orës 01:00 Stacioni Policor në Viti ka pranuar informacion nga ankuesi mashkull kosovar se persona të panjohur deri më tani para hyrjes së shtëpisë së tij e cila gjendet në qytetin e Vitisë i kanë vendosur një arkivol të zbrazët. Njësite policore relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.